Shkëmbim zjarri mes “Shqiponjave” dhe trafikantit të drogës, vritet Enea Mekolli, efektivi i plagosur në gjendje të rëndë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku gjatë një operacioni policor u vra një punonjës i Policisë së Shtetit dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Burime paraprake bëjnë me dije se efektivi i vrarë është Enea Mekolli, ndërsa punonjësi i policisë që mbeti i plagosur është Edison Adri. Të dy ishin pjesë e operacionit për kapjen e një personi të shpallur në kërkim prej vitesh.

Sipas informacioneve paraprake, autor i dyshuar i ngjarjes është Violand Bracellari, person që kërkohej nga autoritetet dhe që dyshohet se fshihej në zonën e Lozhanit.

Burime nga vendngjarja raportojnë se ai qëndronte në një stan të izoluar, ndërsa gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë ka pasur përplasje me armë.

Nga të shtënat, Enea Mekolli mbeti i vrarë, ndërsa Edison Adri u plagos.

Mësohet se edhe i dyshuari është kapur i plagosur pas operacionit.

Në zonë vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një reagim zyrtar lidhur me rrethanat e incidentit që tronditi Policinë e Shtetit dhe opinionin publik.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.