Pukë – Vijon të mbetet e rënduar situata nga zjarret në pyjet e Tërbunit dhe në zonën e Livadh Hamzit, në Bashkinë Pukë. Flakët, të favorizuara nga erërat e forta, po përparojnë drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.
Gjatë gjithë ditës, në terren kanë punuar strukturat vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura, në përpjekje për të izoluar vatrat e zjarrit. Megjithatë, situata është vështirësuar veçanërisht gjatë pasdites, pasi erërat e forta kanë riaktivizuar vatrat e izoluara dhe i kanë nxjerrë ato jashtë kontrollit.
Për të garantuar monitorimin e situatës gjatë natës, një automjet është dërguar në zonën e Gojanit, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit dhe reagimin në rast të përkeqësimit të situatës për shkak të erërave.
Përballë përmasave të zjarrit dhe vështirësive në terren, Bashkia Pukë ka kërkuar që ditën e nesërme të ndërhyhet nga ajri për të ndihmuar në vënien nën kontroll të flakëve.
