14 shtator 2026- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se më 27 shtator do të largohet nga posti i presidentit dhe se gjatë mbrëmjes së asaj dite do t’u drejtohet qytetarëve.
Gjatë një interviste për televizionin “Pink”, Vuçiç foli edhe për Listën Studentore, duke pretenduar se pas saj, si drejtues realë, qëndrojnë ish-presidenti i Partisë Demokratike, Bojan Pajtiç, dhe ish-zëvendëspresidenti i kësaj partie, Dushan Petroviç.
“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen. Kam qenë presidenti i Republikës për kohën më të gjatë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vendin tonë. Këtë nuk do të mund ta bëja pa qytetarët e këtij vendi. E vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të saj, me përkushtim dhe duke luftuar”, u shpreh Vuçiç.
Sipas Vuçiçit, kandidatët e Listës Studentore nuk janë në të vërtetë studentë, por persona që ndjekin ideologjikisht Pajtiçin dhe Petroviçin.
Duke komentuar deklaratat e Pajtiçit se më herët kishte nënvlerësuar nivelin e urrejtjes ndaj autoriteteve në Serbi, Vuçiç tha se një vlerësim i tillë ishte i gabuar, megjithëse, sipas tij, bëhej fjalë për një periudhë katër ose pesë vite më parë.
Vuçiç u ndal gjithashtu te pretendimet për përdorimin e një “topi zanor” gjatë protestës studentore të 15 marsit të vitit të kaluar në Beograd.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se e gjithë historia ishte e sajuar dhe se pretendimet për përdorimin e një pajisjeje të tillë i kishin shkaktuar dëm vendit.
Sipas Vuçiçit, persona që ai i akuzon se kanë organizuar nga jashtë një “revolucion” dhe që kanë marrë pjesë në ato zhvillime, synonin të thellonin përçarjet në shoqërinë serbe duke nxitur emocione të forta negative. Ai pretendoi se qëllimi përfundimtar ishte destabilizimi i vendit dhe, potencialisht, nxitja e një lufte civile.
Presidenti serb tha gjithashtu se në regjistrimin fillestar të zërit ishte shtuar më vonë një tingull që duhej të ngjante me ngritjen e një avioni. Sipas tij, kjo krijonte përshtypjen se mbi turmën kishte kaluar diçka që shkaktonte një efekt të menjëhershëm.
Vuçiç e cilësoi regjistrimin si të inskenuar.
Ai deklaroi se përfundime të ngjashme kanë arritur edhe përfaqësues të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, me ndihmën e ekspertëve që, sipas tij, janë ndër më të specializuarit në vend.
Sipas presidentit serb, prokuroria nuk do të kishte dalë me një përfundim të tillë nëse nuk do të ishte plotësisht e bindur për gjetjet dhe nëse nuk do të kishte mbështetje të fortë nga ekspertiza.
Deklaratat e Vuçiçit vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Serbi, të shoqëruar nga protesta studentore dhe përplasje të forta mes pushtetit dhe kundërshtarëve të tij politikë.
Pak ditë më parë, Aleksandar Vuçiç firmosi dekretin presidencial për shpërndarjen e Parlamentit, ndërsa caktoi 25 tetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ai u shpreh se mori vendimin për të shpallur zgjedhjet duke ndjekur “interesat e Serbisë dhe qytetarëve të saj”.
