28 tetor 2026 – Dy ditë pasi vrau me sëpatë ish-gruan e vëllait, A. S., është arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e djeshme në Deçan.
Klan Kosova raporton se arrestimi është realizuar pas një takimi me familjarët, ndërkohë që detaje të tjera nga operacioni priten të bëhen publike në vijim.
Arlinda Zekaj i është dhënë lamtumira e fundit ditën e djeshme duke lënë pas djalin e mitur 12 vjeç. Ajo mbylli sytë përgjithmonë tre ditë më parë në Vitomiricë të Pejës pasi u qëllua me sëpatë nga ish-kunati i saj. Shkaqet e konfliktit janë ende të paqarta.
Rasti ka tronditur opinionin publik në Kosovë, veçanërisht për shkak të raportimeve se e ndjera kishte kërkuar më herët ndihmën e institucioneve dhe kishte denoncuar dhunën.
Ish-bashkëshorti i saj E. S., ka dalë dje para gjykatës ku i është caktuar dhe masa “arrest me burg”, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj Arlida Zekaj. Pas denoncimit të saj, më 25 tetor, Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ku më pas u vra nga ish-kunati i saj.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka nisur hetimet për marrjen e veprimeve apo mosveprimeve nga organet përkatëse për garantimin e sigurisë së Arlindës. Hetimi institucional do të përfshijë analizimin e kronologjisë së veprimeve të ndërmarra, vendimeve të marra, vlerësimit të rrezikut dhe masave të zbatuara për mbrojtjen e saj. Prokuroria synon të përcaktojë nëse ka pasur neglizhencë, shkelje ligjore apo mosveprime nga ana e institucioneve përgjegjëse.
