Turqia zbulon raketën e re balistike ndërkontinentale me një rreze veprimi deri në 6,000 km

Turqia ka prezantuar për herë të parë publikisht raketën e re balistike ndërkontinentale “Yildirimhan”, gjatë ekspozitës ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes SAHA 2026 që po zhvillohet në Stamboll, duke shënuar një hap të ri në zhvillimin e kapaciteteve të saj për goditje strategjike me rreze të gjatë.

Sipas të dhënave të prezantuara në këtë ekspozitë, raketa është zhvilluar nga Qendra e Kërkimit dhe Zhvillimit e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe mund të arrijë shpejtësi deri në Mach 25, që përkthehet rreth 8.5 kilometra në sekondë. Po ashtu, ajo raportohet se ka një rreze veprimi deri në 6,000 kilometra.

Sistemi “Yildirimhan” përdor si karburant tetraksid azoti të lëngshëm dhe është i pajisur me katër motorë raketorë, çka sipas burimeve turke e rendit atë ndër platformat më të avancuara raketore të zhvilluara deri më tani nga vendi.

Prezantimi u bë në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes dhe Hapësirës SAHA 2026, ku kompani dhe institucione turke të mbrojtjes prezantojnë sisteme të reja në fushën e mbrojtjes ajrore, dronëve, aviacionit dhe teknologjive hapësinore.

Në këtë kontekst, Turqia po vijon të rrisë investimet në industrinë e saj të mbrojtjes, me fokus të veçantë në zhvillimin e sistemeve raketore me rreze të gjatë, platformave pa pilot dhe teknologjive të avancuara ajrore e hapësinore.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.