Donald Trump deklaroi se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit po vazhdojnë në mënyrë “të rregullt dhe konstruktive”, duke theksuar se administrata e tij nuk do të nxitohet për arritjen e një marrëveshjeje.
Presidenti amerikan bëri të ditur se i ka udhëzuar përfaqësuesit e tij “të mos nxitohen për një marrëveshje”, pasi sipas tij “koha është në anën tonë”.
Trump shtoi se bllokada detare amerikane ndaj Iranit do të mbetet “në fuqi dhe efekt të plotë derisa të arrihet, certifikohet dhe nënshkruhet një marrëveshje”.
“Të dyja palët duhet të marrin kohën e tyre dhe ta bëjnë siç duhet. Nuk mund të ketë gabime”, deklaroi ai.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit “po bëhen shumë më profesionale dhe produktive”.
Trump përsëriti qëndrimin e tij se Irani nuk mund të “zhvillojë apo sigurojë” armë bërthamore, duke iu bashkuar deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Në të njëjtën kohë, Trump kritikoi sërish marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, të negociuar gjatë administratës së Barack Obama, duke e cilësuar atë si “një rrugë të drejtpërdrejtë” për Iranin drejt zhvillimit të armëve bërthamore.
