Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Cadimare-s në Itali.
Një i ri shqiptar humbi jetën pasi u sëmur teksa po notonte në ujërat e Gjirit të Poetëve. Viktima është identifikuar si Ambler Xhoecuka, i cili do të festonte 23-vjetorin pas vetëm pak javësh.
Sipas mediave italiane, i riu kishte vendosur të notonte për herë të parë në këtë sezon turistik. Ai la rrobat pranë bregut dhe u hodh në det, por vetëm pak minuta më vonë pësoi një kolaps brenda në ujë.
Ishte një grua që po kalonte pranë zonës ajo që vuri re trupin e pajetë duke lundruar rreth 50 metra larg bregut dhe ngriti menjëherë alarmin, me dy të rinj që u hodhën menjëherë në ujë pa hezituar dhe arritën ta nxirrnin të riun në breg.
Autoritetet italiane bënë identifikimin e viktimës përmes dokumenteve personale dhe sendeve që ai kishte lënë në breg. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, dyshohet se i riu është ndjerë keq papritur për shkak të një mbingarkese fizike gjatë notit në ujërat ende të ftohta të gjirit italian.
