Tirana pritet të përjetojë sot një ditë të ngarkuar me zhvillime politike dhe sociale, pasi në kryeqytet janë paralajmëruar dy protesta, të cilat pritet të mobilizojnë qytetarë, studentë dhe mbështetës politikë.
Tubimi i parë është thirrur nga Partia Demokratike dhe do të zhvillohet në orën 12:00 përpara Kryeministrisë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës në mbështetje të studentëve, duke theksuar se kauza e tyre nuk duhet parë si një çështje që lidhet vetëm me përkatësinë politike.
Ndërkohë, në orën 14:00, studentët pritet të mblidhen përpara Ministrisë së Arsimit në kuadër të protestës kombëtare. Pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Edi Rama për dialog, studentët kanë paralajmëruar se do të vijojnë qëndresën e tyre. Në mbështetje të tyre janë pozicionuar edhe pedagogë, të cilët kanë shprehur publikisht solidaritetin me kërkesat e protestuesve.
Për mbarëvajtjen e dy tubimeve, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash. Raportohet se, në terren pritet të angazhohen rreth 1200 efektivë policie, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestave.
Në një tjetër zhvillim, një ditë përpara protestave, kryeministri Edi Rama prezantoi një platformë të re komunikimi online, përmes së cilës qytetarët do të mund t’i drejtohen drejtpërdrejt kreut të qeverisë dhe institucioneve për shqetësimet dhe problematikat e tyre.
Vëmendja sot do të jetë te dy sheshet e protestës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tubimet do të sjellin zhvillime të reja në përplasjen mes studentëve dhe qeverisë.
