Një tërmet me magnitudë 4.1 goditi pak pas mesnatës provincën Isernia, në rajonin e Molises në Itali, duke shkaktuar panik te banorët, të cilët dolën në rrugë nga frika e lëkundjeve. Sipas Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), epiqendra u regjistrua pranë komunës Pizzone, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë edhe në zonat përreth, përfshirë Abruzzo, Lazio dhe Campania. Autoritetet njoftuan se, deri më tani, nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale, megjithëse shumë banorë kaluan orët e natës jashtë banesave nga frika e pasgoditjeve.
Pas tërmetit kryesor, sizmologët regjistruan edhe një pasgoditje me magnitudë 2.2 në të njëjtën zonë. Ekspertët theksojnë se rajoni ku ndodhi tërmeti është një nga zonat me aktivitet të lartë sizmik në Itali dhe monitorohet vazhdimisht.
