Shqipëria miraton Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, synohet eliminimi i hepatiteve B dhe C deri në vitin 2030

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, në kuadër të objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, bëri të ditur se ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e masave parandaluese, përmirësimin e diagnostikimit të hershëm dhe zgjerimin e aksesit në trajtim për pacientët me hepatite virale.

“Për herë të parë, vendi ynë miraton Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe angazhimit të vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030”, u shpreh Sala.

Sipas saj, një sistem shëndetësor modern duhet të investojë në parandalim, të forcojë survejancën, të sigurojë diagnostikim të hershëm dhe të krijojë mundësi për trajtim në kohë.

Plani Kombëtar parashikon zgjerimin e testimit dhe diagnostikimit, përmirësimin gradual të aksesit në trajtim, si dhe forcimin e shërbimeve të specializuara, kujdesit parësor dhe kapaciteteve diagnostikuese në nivel rajonal.

Një nga objektivat kryesorë të këtij plani është zgjerimi progresiv i kritereve të trajtimit, në mënyrë që kujdesi shëndetësor të mos kufizohet vetëm te pacientët me forma të avancuara të sëmundjes.

“Hepatitet virale janë ndër shkaqet kryesore të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Prandaj, lufta kundër infeksionit është njëkohësisht edhe pjesë thelbësore e luftës kundër kancerit”, deklaroi ministrja Sala.

Ajo theksoi se plani është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare, ekspertëve kombëtarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u bazuar në standardet e OBSH-së dhe në praktikat evropiane për shërbime shëndetësore më të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve.

“Objektivi ynë është i qartë: më pak infeksione të reja, më shumë diagnoza dhe trajtime në kohë, më pak cirrozë, më pak kancer të mëlçisë dhe më shumë jetë të mbrojtura”, u shpreh Sala.

Me miratimin e këtij plani, Shqipëria nis zbatimin e një strategjie afatgjatë për eliminimin e hepatiteve virale dhe forcimin e një sistemi shëndetësor më modern, më të barabartë dhe më të orientuar drejt parandalimit.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.