Aktorja indiane Sara Khan, e njohur nga publiku shqiptar si Sadna e serialit “Bidai”, ka përcjellë një mesazh solidariteti për shqiptarët në një moment të tensionuar, duke shprehur shqetësimin për të rinjtë dhe familjet e tyre.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, aktorja ka kujtuar dashurinë që ka marrë ndër vite nga publiku shqiptar, duke theksuar se lidhja e krijuar me shqiptarët shkon përtej gjuhës dhe distancës.
Në reagimin e saj, Sara Khan shprehet e shqetësuar për të rinjtë shqiptarë, shpresat e tyre dhe familjet që presin me ankth kthimin e tyre të sigurt në shtëpi.
“Çdo i ri meriton të ndihet i dëgjuar, të trajtohet me butësi dhe dinjitet, dhe të besojë se ka një vend për ëndrrat e tij në shtëpinë e vet”, thuhet në mesazhin e publikuar nga mediat.
Aktorja u ka shprehur mbështetjen e saj prindërve të shqetësuar, të rinjve dhe të gjithë atyre që po kalojnë momente të vështira.
“Ju lutem, dijeni se dhimbja juaj nuk më duket aspak e largët”, është një nga mesazhet më prekëse të reagimit të saj.
E njohur dhe e dashur për publikun shqiptar falë rolit të Sadnës në serialin indian “Bidai”, Sara Khan ka ruajtur një lidhje të veçantë me fansat shqiptarë, të cilët e kanë ndjekur prej vitesh.
Reagimi i saj ka rikthyer vëmendjen te protestat në Shqipëri dhe shqetësimi për të rinjtë, ndërsa mesazhi i aktores përcjell një thirrje për dinjitet, mirëkuptim dhe ditë më të qeta.
