Rasti me Onima-n/ Gjesti dënohet me 2 vite burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë, reagon pas gjyqit: “S’do të dorëzohem”

Besart Kelmendi, i njohur nga publiku si Gjesti, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vite burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë, në çështjen që lidhet me konfliktin e tij me kompaninë muzikore Onima dhe pronarin e saj, Erkand Shabani.

Vendimi u shpall këtë të hënë, 7 shtator, pasi Gjykata miratoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Gjesti akuzohej për tri vepra penale: “Kanosje”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”. 

Për veprën penale të kanosjes, këngëtari u dënua me dy vite burgim me kusht. Kjo do të thotë se ai nuk do ta vuajë dënimin me burg, nëse nuk kryen një vepër tjetër penale brenda dy viteve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndërkohë, për dëmtimin e pasurisë u dënua me 3 mijë euro gjobë dhe me 3 mijë euro të tjera për armëmbajtjen pa leje, duke e çuar gjobën totale në 6 mijë euro. Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha që Gjesti ka kaluar në paraburgim. 

Çështja e ka zanafillën më 11 mars të këtij viti, kur Gjesti u arrestua pas incidentit në ambientet e studios muzikore Onima. Më 19 mars ai arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë dhe, me kërkesë të prokurorit, iu ndërpre masa e paraburgimit.

Marrëveshja nuk kaloi pa kundërshtime. Përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, kundërshtoi mënyrën se si ishte trajtuar çështja nga Prokuroria, duke deklaruar se “ligjshmëria u shndërrua në mëshirë” dhe duke pretenduar se Gjesti kishte përfituar një trajtim që nuk do ta kishte një qytetar tjetër. 

Pas përfundimit të seancës, vetë Gjesti reagoi publikisht. Edhe pse ka pranuar fajësinë në kuadër të marrëveshjes me Prokurorinë, ai këmbënguli se ngjarja, sipas versionit të tij, nuk ka ndodhur ashtu siç është paraqitur.

Gjesti pretendoi se ishte pala tjetër ajo që kishte nxjerrë armën e para dhe deklaroi se konflikti lidhej edhe me pretendimet e tij për paratë që thotë se i ishin marrë.

“Unë s’jam asi njeri. Këtu vijnë, që m’kanë bë padrejtësi mua, i kanë marrë paratë e mia që i kam bërë unë për familje, për krejt. Më ka lënë në zero edhe unë jam shku aty e kam nxjerrë atë dhe kam bërë gjeste të pahijshme që e kam pranu”, u shpreh ai pas seancës. 

Këngëtari falënderoi gjithashtu publikun që e ka mbështetur gjatë kësaj periudhe dhe bëri të qartë se, pavarësisht vendimit të Gjykatës dhe pranimit të fajësisë, do të vazhdojë të mbrojë versionin e tij për konfliktin.

“S’do të dorëzohem! S’do të dorëzohem!”, deklaroi Gjesti pas daljes nga gjykata. 

Pas vendimit, Gjesti reagoi edhe në rrjetet sociale, ku falënderoi Gjykatën dhe Prokurorinë e Kosovës, si dhe avokatët e tij, Artan Qërkini dhe Burim Azemi, për mënyrën se si ishte zhvilluar procesi. Ai shprehu mirënjohje për “profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin” e tyre, ndërsa një falënderim të veçantë ia drejtoi publikut: “Faleminderit juve, publikut tem, që m’keni përkrahë, m’keni dashtë edhe m’pranoni qashtu qysh jom.”

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.