Rama ndan pamjet: Nikaj-Mërturi, një thesar i Alpeve Shqiptare me potencial të jashtëzakonshëm turistik

Kryeministri i vendit, Edi Rama, e ka nisur mëngjesin e së mërkurës me një mesazh në rrjetet sociale, duke vënë në fokus Nikaj-Mërturin, të cilin e cilësoi si një nga thesaret e Alpeve Shqiptare dhe një destinacion me potencial të madh për zhvillimin e turizmit malor.

Në një postim në “Facebook”, Rama theksoi se mikpritja karakteristike e zonës krijon një përvojë të veçantë për çdo vizitor, ndërsa nënvizoi rëndësinë e projektit ALPS, të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Ai theksoi se bashkëpunimi me komunitetin vendas është një element kyç për promovimin e qëndrueshëm të Nikaj-Mërturit dhe për valorizimin e potencialit të tij të jashtëzakonshëm turistik.

“Mirëmëngjes dhe me një thesar të Alpeve Shqiptare, siç është Nikaj-Mërturi, ku mikpritja krijon një përvojë speciale për çdo vizitor, ndërsa projekti ALPS, i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, bëri bashkë administratorë të bujtinave, hoteleve dhe guida turistike për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit malor, duke nxitur dialogun me aktorët lokalë si bazë për promovimin e qëndrueshëm të këtij destinacioni dhe valorizimin e potencialit të tij të jashtëzakonshëm turistik, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.