Takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive ishte informues dhe u fokusua te reforma e propozuar administrative-territoriale dhe bashkitë që parashikohet të bashkohen.
Sipas burimeve, Rama theksoi se “kjo është një reformë për Shqipërinë dhe jo për një bashki apo për një tjetër”, duke shtuar se reforma do të vijojë përpara.
Kryeministri tha se bashkimet synojnë më shumë kapacitete, shërbime më të mira dhe administrim më efikas. Ai garantoi gjithashtu se qytetet do të vijojnë të ofrojnë shërbimet që ofrojnë aktualisht.
Reforma e re territoriale ka hasur kundërshtime në disa zona, ku janë zhvilluar protesta nga qytetarët dhe reagime nga këshillat bashkiakë. Në Poliçan, kundërshtimet kanë ardhur edhe nga mbështetës të Partisë Socialiste.
Rama pritet të vijojë konsultimet me bashkitë, komunitetet dhe aktorët e tjerë për zbatimin e reformës.
