Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, zyrtarisht është i vetmi kandidat për postin e kryetarit të PD. Komisioni zgjedhor në PD shpalli zyrtarisht vendimin se në zgjedhjet e 23 majit, Sali Berisha do të kërkojë i vetëm mbështetjen e demokratëve për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme.
Ditën e sotme, në një komunikim online me qytetarët, Berisha u pyet pse nuk ka garë të ndershme brenda partisë dhe ka vetëm një kandidat.
-Pse nuk ka garë të ndershme në PD dhe ka vetëm një kandidat, ndërsa të tjerët janë tërhequr nga gara apo përjashtuar nga partia para garës.
Sipas kreut të PD, kjo forcë politike ka garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë.
Berisha: PD ka garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë. Kryetarët e partive në familjet tona simotra, vetëm një pjesë e vogël zgjidhen direkt nga anëtarësia, të tjerët i zgjedhin forumet e partisë. Por zgjedhja nga anëtarësia Lekë, padiskutim që është forma më eprore e demokracisë dhe më demokratike. Mos bini viktimë e propagandës të atyre që nga viti 2009 kanë zhdukur votën e lirë në parti dhe nuk kanë më votë të lirë. Kanë mobilizuar këto kohë, mafien më të rrezikshme se mafia e kokainës, kundër PD-së. Pra edhe njëherë, PD është nga ato të pakta, jo të shumta, parti demokratike në Europë dhe në botë, që kryetarin e zgjedh direkt me votën e anëtarësisë. Ky është themeli.
Sa i përket garës brenda partisë, kreu i PD tha do pranohet çdo kandidat që plotëson kriteret e përcaktuara në rregullore.
Berisha: Do vijmë tek gara. Të siguroj se, kjo parti në garën në këtë parti, pranohen dhe do pranohen çdo demokrate dhe demokrat, që plotëson kriteret e përcaktuara në rregullore për të marrë pjesë në këtë garë. Unë besoj se kjo është gara më e rëndësishme e partisë dhe duhet të përfaqësojë anëtarësinë e partisë. A mund të imagjinosh ti që në garën e PD-së të marrin pjesë kandidatë të Edi Ramës. Më thuaj pak? Për të kandiduar për kryetar partie duhet të plotësosh disa kritere të caktuara dhe të pranuara. Në rast se je jashtë këtyre kritereve, mund të kandidosh për poste të tjera në degë apo diku tjetër, por nuk mund të kandidosh për kryetar të PD-së në një kohë kur nuk ka asnjë kontribut qenësor, relevant të njohur nga partia.
Një ditë më parë, Komisioni zgjedhor në PD skualifikoi kandidaturën e Mereme Selës, mjekes nga Fushë-Kruja, pasi nuk plotëson kriteret. Gjithashtu, komisioni skualifikoi edhe kandidaturën e Vladimir Mulaj. Të dy kandidatët u skualifikuan pasi nuk kanë një profil të lartë politik e publik. Ndërkohë, kandidaturat e Ervin Salianjit, Evi Kokalarit dhe Alesia Balliut nuk janë marrë në shqyrtim, pasi për Partinë Demokratike ata nuk janë anëtarë të kësaj force politike dhe nuk kanë të drejtë të kandidojnë.
