Prokuroria e Beratit sekuestron 13 pasuri të pajustifikuara, pronari i dënuar për trafik droge në Spanjë dhe Greqi

Prokuroria e Beratit ka sekuestruar pasuritë e një shtetasi me inicialet D.L., i dënuar nga autoritetet e drejtësisë në Spanjë dhe Greqi për trafikim të lëndëve narkotike. Pasuritë dyshohet se janë krijuar me të ardhurat nga aktiviteti kriminal dhe nuk justifikohen nga burimet e ligjshme financiare.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, është vendosur sekuestroja mbi pasuritë e shtetasit D.L. dhe personave të lidhur me të, në kuadër të hetimeve për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 2018 ka rezultuar se D.L. është përfshirë në veprimtari kriminale jashtë Shqipërisë, kryesisht në Spanjë dhe Greqi, në fushën e shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë aktivitet, ai është hetuar dhe dënuar nga autoritetet e drejtësisë në këto dy shtete.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale janë investuar në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Poliçanit, ku shtetasi jeton. Investimet përfshijnë blerjen e dyqaneve, apartamenteve për vete dhe familjarët, automjeteve të markave të ndryshme, si dhe ngritjen e aktiviteteve private në fushën e tregtisë ushqimore, bareve, kafeneve dhe ushqimit të shpejtë.

Shtetasi D.L. ndodhet në Spanjë që prej vitit 2017, ku, sipas informacioneve të administruara nga hetuesit, është ndaluar nga autoritetet spanjolle për trafikim të lëndëve narkotike.

Nga analiza financiare për periudhën 2005-2016 ka rezultuar se të ardhurat dhe burimet financiare të dokumentuara të tij dhe familjarëve nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet dhe investimet e evidentuara.

Në kuadër të hetimit pasuror, Prokuroria ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3019, përfshirë dyqane dhe njësi të tjera, si dhe një sipërfaqe prej 48 metrash katrorë dhe një apartament me sipërfaqe 66 metra katrorë në Skrapar.

Në listën e pasurive të sekuestruara janë edhe dy automjete të markës Mercedes-Benz, njëri prej tyre model E270 CDI.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar burimin e pasurive dhe lidhjen e tyre me veprimtarinë e dyshuar kriminale.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.