Policia Rrugore e Korçës ka intensifikuar monitorimin në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur pajisje dhe mjete inteligjente me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë një jave monitorimi, janë arrestuar 2 drejtues mjetesh për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ndërkohë, kontrollet në rrugët urbane, interurbane dhe rurale kanë sjellë vendosjen e 877 masave administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Nga këto, 207 masa janë vendosur për parakalime të gabuara, 234 për ndalim të gabuar të mjetit, 23 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse dhe 5 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Policia ka vendosur gjithashtu 29 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 52 për mosrespektimin e këmbësorëve në vijat e bardha, 2 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 6 për xhama të errësuar. Për shkelje të tjera të Kodit Rrugor janë vendosur 319 masa administrative.
Policia Rrugore njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset e qarkut, me përdorimin e mjeteve bashkëkohore logjistike, me synim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore me pasoja.
Apeli i Policisë Rrugore shkon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes maksimal në rrugë.
