Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth mesditën e sotme, në autostradën Egnatia pranë Komotinisë në lindje të Greqisë, ku tre shqiptarë kanë humbur jetën.
Gazeta greke “Protothema” shkruan se aksidenti ka ndodhur pasi një kamion është përplasur me dy makina që ndodheshin të ndaluara në trafik, në një radhë të gjatë prej 600 metrash, pranë pikës së pagesës së taksës rrugore të Iasmit.
Në të dyja makinat e vogla ndodheshin të afërm që kishin udhëtuar drejt Evros për një dasmë dhe tanimë po ktheheshin për në shtëpi.
Si pasojë e përplasjes së fuqishme njëra nga makinat shpërtheu në zjarr, duke bërë që të digjen për së gjalli një 59-vjeçar (shoferi), një 61-vjeçar dhe një grua 57-vjeçare. Një 49-vjeçare shqiptare, e cila ishte pasagjere në të njëjtin mjet, arriti të dalë vetë nga automjeti dhe ndodhet në spitalin e Komotinisë nën kujdesin mjekësor.
