Përplasje në mesnatë mes Ramës dhe Bardhit në Kuvend: Vetëm hajvani nuk ndryshon mendje, asnjë kriminel nuk do t’i marrë lekë Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar me debate të forta përgjatë gjithë ditës së enjte, për të kulmuar pak para mesnatës, sapo kryeministri Edi Rama mori fjalën.

Kreu i qeverisë theksoi se ai respekton vendimin e arbitrazhit. Rama tha se subjekti dhe dy gjykatës do të përballen me drejtësinë, duke iu referuar akuzave të opozitës për çështjen “Becchetti”.

“Partia juaj, sa herë ka zgjedhje, informon se subjekti ka marrë 140 milionë euro. Dua t’ju informoj se ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Subjekti dhe dy gjykatës do të përballen me drejtësinë. Edhe të jeni të sigurt se të gjitha lekët që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, që i janë mbajtur Albcontrol, do t’i kthehen shtetit shqiptar. Unë nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit. Unë kam thënë që koha kur lloj-lloj kriminelësh e lloj-lloj legenësh mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur”, tha Rama.

Por, për kreun e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, Rama nuk është i qartë për këtë çështje.

“Nëse nuk ka marrë gjë, çfarë do të kthejë? Njëherë thua mori, njëherë nuk mori. Por unë prisja të jepje përgjigje për 35 milionë eurot që i dhe Yeffet-it, e këtu thua s’ke lekë për gjyqtarët. Pse e shkel Kushtetutën?”, tha Bardhi në fjalën e tij.

Por, në replikën e tij, Rama u shpreh: “Churchilli ka thënë që hajvani është dikush që jo vetëm nuk ndryshon mendje, por nuk ndryshon as argument. Unë nuk thashë që subjekti ka marrë lekë, se kjo nuk ka ndodhur. Unë thashë që fondi është një fond i ngrirë deri në fund të procesit”.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.