Parandalohet ngjarja kriminale në Tiranë, arrestohet 37-vjeçari me eksploziv, armë dhe maskë silikoni

Miks Albania

Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit dhe pronës dhe ka vënë në pranga një 37-vjeçar.

Perikli Doçi kishte siguruar për qëllime kriminale  lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa.

Në momentin që policia i ka bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte 37-vjeçari, ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.

Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i Doçit në afërsi të liqenit të Paskuqanit.

Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.

Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se Doçi, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.