Ndahet nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i madh Koço Qëndro

Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur i teatrit të Korçës, Koço Qëndro, një nga figurat më të spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar.

Qëndro mbetet në kujtesën e publikut për interpretimet e tij të njohura, mes tyre roli i Harpagonit në komedinë “Kopraci”, të cilën e riktheu në skenë pas gati 30 vitesh. Ai ka luajtur gjithashtu në filma të njohur shqiptarë si “I teti në bronx”, “Përballimi”, “Vendimi” dhe “Agimet e stinës së madhe”.

Qëndro ka qenë ndër themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës në fillim të viteve ’60, ndërsa më pas u bë pjesë e trupës së Teatrit “Andon Zako Çajupi”, ku interpretoi për dekada me radhë.

Për kontributin e tij të gjatë në artin skenik shqiptar, ai është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Ambasador i Qarkut të Korçës”.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta shënon një humbje të madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.