Mijëra iranianë në homazhe për Khamenein

Në Iran, kjo e shtunë shënon ditën e dytë të homazheve në Xhaminë e Madhe të Teheranit për Ajatollahun Ali Khamenei. Lideri suprem u vra më 28 shkurt në rezidencën e tij gjatë një sulmi ajror amerikano-izraelit, ngjarje që i dha fund sundimit të tij 37-vjeçar. Në këtë ditë të dytë, dyert e xhamisë u hapën për qytetarët e thjeshtë, të cilët janë dyndur masivisht që prej orëve të para të mëngjesit për të shprehur nderimet e fundit dhe pikëllimin për liderin e tyre të vrarë.

Autoritetet iraniane presin që në këto homazhe të marrin pjesë deri në 20 milionë njerëz vetëm në kryeqytet. Këtë organizim e shohin si referendum, që synon të tregojë mbështetjen e palëkundur popullore për Republikën Islamike, veçanërisht pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Përgjatë radhëve kilometrike, të pranishmit lëshuan thirrje të vazhdueshme për hakmarrje.

“Erdhëm për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit. Të gjithë këtu kemi ardhur që të hakmerremi për gjakun e tij. Siç ka thënë udhëheqësi ynë, ne jemi në gjakmarrje me Shtetet e Bashkuara.”

Të premten, në ditën e parë të ceremonisë, nderimet u rezervuan për zyrtarët më të lartë të vendit, ku spikati përlotja e kryeparlamentarit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.

Mes delegacioneve ndërkombëtare, nga Rusia aleate ishte edhe numri dy i federatës, Dmitry Medvedev. Për homazhe shkuan edhe përfaqësuesit e talebanëve afganë, qeverinë e të cilëve Irani e sheh si të jashtëligjshme. Megjithatë, pas marrjes së pushtetit prej tyre, palët kanë përmirësuar marrëdhëniet që i konsiderojnë “të leverdishme”.

Delegacione zyrtare dërguan edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Arabinë Saudite, me të cilën Irani duket se ka lënë pas konfliktet historike për dominimin e Lindjes së Mesme. Nga ana tjetër, Teherani zyrtar ka mbajtur një qëndrim të prerë refuzues, duke mos ftuar asnjë lider apo përfaqësues të vendeve perëndimore në këtë ceremoni. Arkivoli do të qëndrojë në Teheran deri të hënën, përpara se të nisë udhëtimin drejt qyteteve të shenjta dhe varrimit final më 9 korrik në Mashhad.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.