Plazhe me ujëra të kristalta, fshatra të lashtë prej guri që mbartin histori shekullore dhe një qetësi rigjeneruese.
Kështu përshkruhet riviera shqiptare në një artikull të gjatë në revistën prestigjoze amerikane Travel + Leisure.
Artikulli në një nga revistat më me ndikim në botë, për fushën e turizmit e cilëson bregdetin tonë si një parajsë të fshehur dhe një alternativë të shkëlqyer, e tejet të përballueshme, ndaj ‘Côte d’Azur’ në Francë apo bregdetit të shtrenjtë italian.
Në shkrimin e saj, gazetarja amerikane Ada Calhoun përshkruan me detaje magjinë e Plazhit të Livadhit në Himarë, me guralecët e bardhë dhe kodrat e mbuluara me ullinj.
Ajo ndan me lexuesit ndjesinë unike të të shijuarit të një birre vendase buzë detit Jon, nën ngjyrat rozë të perëndimit shqiptar.
Por udhëtimi i saj nuk ndalet vetëm te deti. Calhoun ka eksploruar Himarën e Vjetër, duke vizituar rrënojat antike dhe kishat historike, si dhe fshatin e vjetër të Qeparoit.
Ky fshat karakteristik, sipas saj, ruan ende shpirtin dhe atmosferën autentike të Shqipërisë së dikurshme, falë edhe nismave vendase për restaurimin e bujtinave të vjetra.
Një vëmendje e veçantë në artikull i kushtohet mikpritjes dhe kulinarisë sonë. Nga peshku i freskët te djathi i skuqur me mjaltë dhe rakia tradicionale, shijet shqiptare kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme te gazetarja, e cila vë theksin edhe te çmimet mjaft të ulëta krahasuar me pjesën tjetër të Mesdheut.
Nga rrënojat e lashta të Butrintit e deri te qetësia që ofron bregdeti, shkrimi i Travel + Leisure mbyllet me një mesazh të qartë se Shqipëria nuk është më një sekret i fshehur.
Ajo është tashmë një destinacion që të fal paqe dhe të fton të rikthehesh sërish.
