Policia ka proceduar penalisht 19 persona sa i takon marshimit të mbrëmshëm, 14 qershor, drejt aeroportit të Rinasit.
Siç thuhet në njoftimin zyrtar, ata organizuar dhe nxitën qytetarët për të bllokuar rrugën, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës. Leja e tubimit, thekson Policia, ishte nga ora 18:00 deri në orën 22:00.
“Në përfundim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Si dhe janë sekuestruar dy automjete”, njoftojnë blutë e Tiranës.
Lidhur me këtë marshim, reagoi ashpër edhe kryeministri Edi Rama. Sipas tij, turma është drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë.
Ndërkohë, protesta e sotme duket më e qetë dhe siç ka ndodhur për më shumë se dy javë rresht, qytetarët kanë nisur marshimin e tyre nëpër rugët e Tiranës.
