Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar dy raste të malaries në Shqipëri, sëmundje infektive që prej dekadash nuk konsiderohet endemike në vend.
Bëhet fjalë për dy shtetase amerikane, të cilat janë kthyer së fundmi nga një udhëtim në Kamboxhia. Vajzat ndodhen të shtruara në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, ku po marrin trajtimin mjekësor.
Të dyja u paraqitën në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, me temperaturë të lartë, ethe, lodhje të theksuar dhe probleme gastrointestinale, përfshirë diarrenë. Pas analizave laboratorike, rezultuan pozitive për infeksionin e malaries.
Sipas mjekëve të QSUT-së, gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm. Pacientet janë stabilizuar dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për qetësi, duke sqaruar se malaria nuk transmetohet drejtpërdrejt nga një person te tjetri. Sëmundja përhapet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Malaria është një sëmundje që nuk qarkullon në mënyrë endemike në Shqipëri. Raste të tilla janë të lidhura kryesisht me udhëtime në vende ku sëmundja është e pranishme.
Rastet e fundit të regjistruara në vend datojnë katër vite më parë, kur u konfirmuan 18 raste të importuara.
