Lamtumirë legjendës së Interit, Sandro Mazzola ndahet nga jeta në moshën 83-vjeçare

Sandro Mazzola, një prej legjendave më të mëdha të Interit dhe figurë simbol e epokës së “Grande Inter”, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.

Mazzola i kushtoi thuajse gjithë jetën klubit zikaltër. Ai u bashkua me Interin që në fëmijëri dhe më pas u shndërrua në një prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e tij.

Nën drejtimin e trajnerit Helenio Herrera, Mazzola ishte një nga protagonistët e skuadrës së famshme të Interit që dominoi futbollin italian dhe europian. Me fanellën zikaltër ai fitoi katër tituj të Serie A, dy Kupa të Europës dhe dy Kupa Interkontinentale.

Ai ishte gjithashtu golashënuesi më i mirë i Serie A në vitin 1965, me 17 gola, ndërsa në vitin 1964 përfundoi si golashënuesi më i mirë i Kupës së Europës me shtatë gola. Në vitin 1971, Mazzola u rendit i dyti në garën për “Topin e Artë”, pas Johan Cruyff.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vazhdoi të ishte i lidhur me Interin në role drejtuese dhe si drejtues sportiv. Një prej lëvizjeve më të bujshme ku pati rol ishte transferimi i Ronaldo Nazarios te Interi.

Interi i jep lamtumirën legjendës

Pas lajmit të trishtë, Interi reagoi me një mesazh prekës për një prej figurave më të rëndësishme të historisë së klubit.

“Sa e vështirë është të gjesh fjalët e duhura për t’i dhënë lamtumirën dikujt që shkroi historinë në mënyrë të pashlyeshme”, shkroi klubi zikaltër, duke e cilësuar Mazzolën si një njeri që “ishte historia e Interit”.

Klubi kujtoi rrugëtimin e tij që nga fëmijëria, sukseset me “Grande Inter” dhe trofetë e shumtë të fituar. Për Interin, Mazzola mbetet një simbol i përjetshëm i fanellës zikaltër dhe i një prej periudhave më të lavdishme të klubit.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.