Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të shtunë në koncertin me titull “Morricone ishte im atë”, një mbrëmje artistike kushtuar kujtimit dhe trashëgimisë së kompozitorit legjendar Ennio Morricone, me rastin e Ditës së Europës.
Eventi drejtohet nga Andrea Morricone, i biri i maestro-s së njohur, dhe do të sjellë për publikun një atmosferë që ndërthur muzikën, emocionin dhe kujtimin e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Pak para nisjes së koncertit, kryeministri Rama ndau edhe një moment bashkëbisedimi me të birin e kompozitorit legjendar.
Një nga organizatoret e koncertit i drejtohet kryeministrit Edi Rama: “Jemi shumë mirë, organizimi është super. Na mungojnë akoma ca lekë.”
“A e morët buxhetin?”, kthehet ai.
“Nuk mjafton, do të jetë një super skenë. Është skena më e madhe që është bërë ndonjëherë në Shqipëri”, përgjigjet ajo.
Rama i përkthen bisedën Andrea Morricone-s dhe me humor shton: “Tani po e kuptoj pse na donte të dyve këtu”.
