Rreth 100 kilogramë kokainë, të fshehura në një ngarkesë me trëndafila me origjinë nga Kolumbia, janë sekuestruar nga autoritetet greke në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë.
Operacioni u zhvillua të mërkurën, pas informacioneve të siguruara nga zyra e agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, në Athinë.
Në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej gjashtë persona, shumica prej tyre me shtetësi shqiptare.
Katër prej arrestimeve u kryen në aeroport, ku të dyshuarit pritej të merrnin ngarkesën me drogë. Ndërkohë, dy persona të tjerë u arrestuan në zonën e Maratonës, ku dyshohet se do të magazinohej kokaina.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë rrjetin që qëndron pas transportit të drogës, si dhe për të përcaktuar destinacionin përfundimtar të 100 kilogramëve kokainë.
