Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, e cila pritet të ngrihet javën e ardhshme. Gjatë prezantimit të platformës “Shkalla e Meritës”, Rama bëri të ditur se në krye të ministrisë së re do të jetë Adea Pirdeni, e cila aktualisht mban detyrën e ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë. Është nevoja që përmes kësaj ministrie që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, punëve e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve. Nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni”, tha Rama.
