Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka vizituar sot familjet e fëmijëve që humbën jetën nga aksidenti tragjik i ndodhur një ditë më parë në Durrës.
Koçiu ka theksuar se kjo është një dhimbje që nuk mund të shpjegohet dhe nuk mund të zëvendësohet me asnjë fjalë ngushëllimi, pasi jeta e ndërprerë në mënyrë tragjike në moshë të njomë lë një plagë të përhershme për familjet.
Ajo ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e përgjegjësisë dhe respektimit të rregullave e standardeve të sigurisë, duke e cilësuar ngjarjen si një thirrje të fortë për ndërgjegjësim dhe parandalim të tragjedive të ngjashme në të ardhmen.
Mesazhi i Koçiut
“Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre.
Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.
Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur.
Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.
U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje“.
Për ngushëllim pranë familjeve shkoi më herët edhe nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.
