Dinamo fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi

Dinamo fitoi Kupën e Shqipërisë për të dytin sezon radhazi, pasi mposhti Egnatian me rezultatin 3-2 në finalen e zhvilluar në “Air Albania”.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja çoi në 15 numrin e trofeve të këtij kompeticioni. Ndeshja nisi me karton të kuq për Bakayokon në minutën e 6-të, pas ndërhyrjes së rëndë me takë në fytyrë ndaj Aldo Teqjës, i cili u largua me barelë nga fusha dhe më pas drejt spitalit.

Dinamo kaloi në avantazh në minutën e 23-të me Malomon, ndërsa Dejvi Bregu dyfishoi shifrat në minutën e 29-të me një goditje nga jashtë zone.

Në pjesën e dytë, Malomo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 51-të, duke lënë edhe Dinamon me 10 lojtarë. Egnatia ngushtoi rezultatin në minutën e 81-të me Buriç, por Mustapha riktheu diferencën tre minuta më vonë.

Në shtesë, Adjesa shënoi për 3-2, por Egnatia nuk arriti të shmangte humbjen.

Në fund pati tension mes stafeve dhe trajneri Ilir Daja u ndëshkua me karton të kuq.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.