Rimini – Një 45-vjeçar shqiptar është shpallur në kërkim nga karabinierët në Itali, pasi dyshohet se pas një konflikti të ashpër me gruan e tij ka drejtuar makinën drejt ujërave të portit të Cattolica-s, duke rrezikuar jetën e të dyve.
45-vjeçari akuzohet se e ka futur qëllimisht makinën në port, ndërkohë që brenda ndodhej edhe gruaja e tij. Përpara se të largohej, ai i kishte kërkuar edhe vajzës së tij të shkonte me ta.
Ngjarja ndodhi të mërkurën rreth orës 16:00. Sipas raportimeve, çifti ndodhej në një Volkswagen Golf kur, pas debatit, burri e drejtoi automjetin me shpejtësi drejt kalatës dhe u zhyt në det.
Makina nisi të fundosej, por dyert u hapën dhe të dy arritën të dilnin nga automjeti. Disa persona që ndodheshin pranë portit ndërhynë për t’i ndihmuar, ndërsa në vendngjarje mbërritën ambulanca, zjarrfikësit, karabinierët dhe Kapiteneria e Portit.
Gruaja, 42 vjeçe nga Shqipëria, u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, 45-vjeçari, pasi mori ndihmën e parë, u largua mes shkëmbinjve dhe humbi gjurmët, duke u shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë edhe për nxjerrjen e automjetit nga ujërat e portit.
Sipas rindërtimit të hetuesve, pasdite burri dyshohet se i sugjeroi gruas së tij 42-vjeçare të dilnin me makinë me pretekstin e blerjeve. Sapo mbërritën në zonën e portit, ai papritmas rriti shpejtësinë, duke u drejtuar drejt detit.
Makina fillimisht goditi një shtyllë dhe më pas përfundoi në ujërat e portit, në një thellësi prej rreth tre metrash. Shoferi ishte i pari që shpëtoi, ndërsa gruaja e tij mbeti brenda makinës që po mbushej me shpejtësi.
Gruaja arriti të çlirohej duke u ngjitur nga dritarja e pasme. Ndërkohë, disa kalimtarë vunë re se çfarë po ndodhte. Dy burra u zhytën në ujë dhe, duke përdorur një litar të ofruar nga skela, arritën te çifti dhe i tërhoqën të dy në siguri. Gruaja e cila nuk dinte të notonte, u dërgua në Spitalin e Pesaros për vlerësim.
