Ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, deklaroi se vendi ka hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian, ndërsa theksoi rëndësinë e reformave dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Moreira de Sousa vlerësoi se diskutimi për zgjerimin europian është veçanërisht i rëndësishëm në një forum parlamentar.
“Nuk ka vend më të mirë për të diskutuar zgjerimin se sa mes deputetëve. Zgjerimi do të thotë një projekt politik, një proces shndërrimi institucionesh dhe shoqërish. Është një projekt i cili bën bashkë popujt e ndryshëm me vlera të njëjta”, u shpreh ambasadorja.
Sipas saj, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit, pas hapjes së të gjithë grup-kapitujve dhe mbylljes provizore të tre prej tyre.
“Ky projekt ka hyrë në një fazë të re për Shqipërinë, duke hapur të gjithë grup-kapitujt dhe duke mbyllur provizorisht tre prej tyre. E ardhmja europiane e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e më e prekshme”, deklaroi Moreira de Sousa.
Ambasadorja e BE-së vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në disa fusha, duke u ndalur veçanërisht te reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut.
“BE ka njohur ecurinë në fusha të ndryshme të cilat janë thelbësore. Reforma në Drejtësi ka shndërruar panoramën institucionale të gjyqësorit. Procesi i vettingut që tashmë është përfunduar, krijimi dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura gjyqësore”, tha ajo.
Moreira de Sousa theksoi se procesi i anëtarësimit nuk duhet parë vetëm si një objektiv politik, por edhe si një proces që sjell ndryshime konkrete për qytetarët shqiptarë.
“Ky proces, pra anëtarësimi, është një proces që ndihmon shqiptarët që të ndiejnë efektin shndërrues që sjell anëtarësimi në BE. Sa më pranë ecni me anëtarësimin, aq më impenjativ bëhet procesi”, u shpreh ambasadorja.
Ajo nënvizoi se miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duke e cilësuar zbatimin e tij si një prej elementeve thelbësore të procesit të integrimit.
“Miratimi i legjislacionit është vetëm pjesë e procesit. Zbatimi është aspekti i pazëvendësueshëm, pa të anëtarësimi në BE do të mbetet një synim i largët”, deklaroi Moreira de Sousa.
Sipas ambasadores, faza aktuale e procesit kërkon që institucionet shqiptare të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të pavarur.
“Faza në të cilën gjendet Shqipëria do të kërkojë që institucionet të funksionojnë në mënyrë të përhershme dhe të pavarur”, tha ajo.
Në përfundim, ambasadorja e re e BE-së në Shqipëri theksoi se orientimi europian i vendit është i qartë.
“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj dhe është shumë e qartë për këtë. E ardhmja e saj është në familjen europiane”, përfundoi Sofia Moreira de Sousa.
