Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar ditën e sotme në veri të Kosovës ku ka pasur përplasje mes Policisë dhe protestuesve serbë.
Përmes një postimi në “Twitter”, Rama u bën apel autoriteteve Kosovare që të tërhiqen, pasi kjo situatë nuk e ndihmon vendin në një moment kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!
Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama.
Kujtojmë se një sërë tensionesh kanë ndodhur ditën e sotme në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi se kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj për të hyrë në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, komuna të banuara me shumicë serbe – përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.
Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.