Tritol hotelit në Sarandë,  policia jep detaje: U shemb hotel 2-katësh, dy bashkëpronarët në gjyq për pronësinë

Një shpërthim me lëndë eksplozive ka tronditur mëngjesin e sotëm Sarandën.

Policia bën me dije se rreth orës 05:55, në lagjen nr.1, Sarandë, në një hotel dy-katësh i ndërtuar që prej vitit 1996, në pronësi të shtetasve S. Ç., dhe E. Dh., ka shpërthyer një sasi lënde, e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ndërtesa është rrëzuar dhe janë shkaktuar dëmtime të fasadave të objekteve në afërsi të objektit të rrëzuar.

Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve.

Nga të dhënat paraprake rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët Spiro Çabiri dhe shtetasi grek Dhimitër Evangjeliu, janë në një proces gjyqësor për pronësinë e këtij hoteli.

Tashmë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.