Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mbrëmjen e sotme në autostradën Fier-Vlorë, pranë Novoselës, ku ka humbur jetën Ermal Lulaj, Shefi i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti me të cilin udhëtonte zyrtari i policisë është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë, të llojit skrep. Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që Lulaj të humbasë jetën në vendngjarje.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së përplasjes.
