Tragjedi në Rrugën e Arbrit, dyshohet për dy viktima pas përplasjes së dy automjeteve

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e sotme në Rrugën e Arbrit, në zonën e njohur si “Zall Maricë”, në Njësinë Administrative Zall-Bastar, ku dy automjete janë përplasur fuqishëm me njëri-tjetrin.

Sipas informacioneve paraprake, të dyja automjetet po udhëtonin në drejtim të Dibrës. Në njërin prej tyre, me targa të Tetovës, udhëtonte një çift. Dyshohet se gruaja që ndodhej në këtë automjet ka humbur jetën si pasojë e përplasjes.

Ndërkohë, në automjetin tjetër udhëtonte një familje nga Dibra, me tre fëmijë. Edhe në këtë rast, dyshohet se drejtuesi i mjetit, kryefamiljari, ka humbur jetën.

Dëshmitarë të aksidentit janë përpjekur t’u japin ndihmën e parë të plagosurve deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore. Në vendngjarje kanë mbërritur dy ambulanca, të cilat kanë transportuar të dëmtuarit drejt spitalit.

Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa informacionet për viktimat dhe gjendjen shëndetësore të personave të tjerë të përfshirë janë paraprake dhe presin konfirmimin zyrtar nga autoritetet.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.