Zbardhen detaje të reja nga grabitja e bankës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, për të cilën policia arrestoi 50-vjeçarin Robert Duka, nga Vlora.
Sipas informacioneve, i dyshuari kishte marrë një banesë me qira në Tiranë, ku ishte strehuar pas grabitjes. Ai nuk jetonte gjatë gjithë vitit në kryeqytet, por pjesën tjetër të kohës e kalonte në Vlorë.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar edhe momentin kur autori largohet nga banka. I veshur me të zeza, me skafandër në kokë dhe një çantë në shpinë, ai shihet duke u larguar me një skuter elektrik.
Ngjarja ndodhi më 2 nëntor, rreth orës 10:45. Një person i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe kërcënoi punonjësin e sigurisë me një send që dyshohet se ngjante me armë zjarri. Më pas, ai arriti të marrë një shumë parash nga sportelet.
Pas grabitjes, autori u largua në drejtim të stadiumit “Selman Stërmasi”. Pas hetimeve dhe veprimeve operative, policia arriti të identifikojë dhe lokalizojë të dyshuarin, duke e arrestuar pranë rrugës së Kosovarëve në Tiranë.
