Rama: Shqipëria merr vlerësimin më të lartë historik nga Komisioni Europian, anëtarësimi në BE më pranë se kurrë

Raporti Vjetor i Progresit, Rama: Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë
Kryeministri Edi Rama e cilësoi raportin vjetor të progresit të Komisionit Evropian si vlerësimin më të lartë që Shqipëria ka marrë deri tani dhe si një hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në reagimin e tij, Rama tha se vendi ka ende shumë detyra përpara dhe se koha për përmbushjen e objektivave të negociatave po ngushtohet. Ai shtoi se vlerësimi i raportit nuk i zbeh problematikat e përditshme të vendit, të cilat, sipas tij, do të vijojnë të kenë vëmendjen e qeverisë dhe të shumicës parlamentare. 

Reagimi i plotë i Kryeministrit:”Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë. 

Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.
Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën. 

Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë. 

Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë. 

Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.  

Kokën lart dhe përpara Shqipëri

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.