Sekretariati i Etikës këtë të premte do të mblidhet online për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj 7 deputetëve të Partisë Demokratike, pas seancës plenare të së enjtes të shoqëruar me tensione të larta, bllokim të foltores dhe ndërprerje të punimeve.
Sipas kërkesës së paraqitur, për kreun e PD, Sali Berisha kërkohet masë disiplinore me 10 ditë përjashtim. Ndërkohë, për gjashtë deputetët e tjerë të opozitës, kërkesa parashikon një masë më të ashpër, prej 60 ditësh përjashtim.
Deputetët për të cilët kërkohet kjo masë janë: Xhelal Mziu, Bledi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati, Albana Vokshi dhe Klodiana Çapja.
Kërkesa e PS erdhi pas situatës së tensionuar të krijuar në seancën plenare. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, ndezën flakadanë dhe përdorën bilbila për të penguar zhvillimin normal të rendit të ditës. Kjo solli ndërprerjen e seancës dy herë radhazi për shkak të pamundësisë së vijimit të punimeve.
