Prej katër ditësh, bankat ofrojnë shërbim të kufizuar për klientët, për shkak të sulmeve ndaj disa degëve nga protestuesit.
Edhe këtë të hënë, bankat kanë njoftuar në rrjetet sociale se degët që ndodhen në zonat ku lëvizin protestuesit janë të mbyllura plotësisht, ndërsa në disa pika të tjera orari është i kufizuar.
Në një reagim për këtë situatë, Banka e Shqipërisë thotë se këto masa janë marrë për të garantuar sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve, por ndërkohë, depozitat dhe kursimet janë të sigurta.
Banka e Shqipërisë: Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve.
Banka e Shqipërisë bën thirrje për protestë paqësore dhe të respektojnë institucionet bankare që janë me rëndësi për ekonominë dhe jetën e qytetarëve.
Banka e Shqipërisë: Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit dhe vijojnë aktivitetin e tyre, si dhe sipërmarrje që investojnë dhe krijojnë vende pune. Funksionimi normal i bankave është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen.
Po ashtu, Banka e Shqipërisë siguron se shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e rolit të sistemit bankar si domosdoshmëri e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe nevojave të konsumit të familjeve.
