UNICEF ka evidentuar nivele shqetësuese të kequshqyerjes kronike në Rripin e Gazës, pavarësisht se kequshqyerja akute është konstatuar në nivele relativisht të ulëta.
Gjetjet vijnë nga një studim mbi gjendjen ushqimore të popullsisë, i zhvilluar nga 31 maji deri më 15 qershor në zonat e Gazës ku ishte i mundur aksesi. Sipas UNICEF-it, studimi u krye pas një zgjerimi të ndjeshëm të ndihmës humanitare pas armëpushimit të tetorit 2025.
Agjencia thekson se rreth 17% e popullsisë së Gazës, ose afërsisht 358 mijë persona, nuk u përfshinë në kampionim për shkak të kufizimeve të aksesit dhe sigurisë.
Studimi përshkruan një situatë komplekse ushqimore, ku krahas kequshqyerjes kronike te fëmijët u evidentuan edhe kequshqyerja e nënave, cilësia e dobët e ushqyerjes, praktika jo optimale për ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, si dhe një numër i konsiderueshëm sëmundjesh te fëmijët.
Drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, tha se gjendja ushqimore e fëmijëve përmirësohet kur ndihmat dhe furnizimet tregtare arrijnë tek ata.
Sipas tij, kequshqyerja akute mund të përmirësohet brenda disa javësh, ndërsa pasojat më të thella të kequshqyerjes kërkojnë shumë më tepër kohë.
“Fëmijët kanë nevojë për ujë të sigurt, kujdes shëndetësor dhe ushqime të larmishme e ushqyese”, theksoi Beigbeder, duke nënvizuar se nevojat e tyre nuk kufizohen vetëm te marrja e kalorive të mjaftueshme për mbijetesë.
