Mjekët kryejnë ndërhyrjen e rrallë, heqin gurin 3.1 kg nga fshikëza e një 55-vjeçari

Një rast i pazakontë mjekësor është regjistruar në Sri Lanka, ku mjekët kanë hequr një gur prej 3.1 kilogramësh nga fshikëza urinare e një 55-vjeçari. Mjekët besojnë se bëhet fjalë për gurin më të madh të këtij lloji të dokumentuar deri më tani.

Ndërhyrja u krye javën e kaluar në një spital në Trincomalee, në pjesën lindore të Sri Lankës.

55-vjeçari ishte shtruar në spital pasi kishte pësuar një goditje në tru. Gjatë trajtimit, mjekët vunë re se pacienti kishte vështirësi në urinim dhe, pas ekzaminimeve, zbuluan gurët në fshikëzën e tij.

Gjatë operacionit, mjekët arritën të heqin një gur me peshë 3.1 kg, me gjatësi rreth 17 centimetra. Sipas ekipit mjekësor, pesha e tij ishte e krahasueshme me atë të një foshnjeje të sapolindur, ndërsa përmasat i ngjanin një veze struci.

“Sipas të dhënave të disponueshme, ky është guri më i madh në fshikëz i dokumentuar dhe hequr përmes ndërhyrjes kirurgjikale”, tha për BBC Dr. Prahalahan Balakrishnan, i cili drejtoi operacionin.

Mjeku shtoi se pacienti është në gjendje “shumë të mirë shëndetësore”. Ai vijon të qëndrojë në spital, ku po merr trajtim edhe për problemet e tjera shëndetësore.

Sipas mjekëve, guri mund të ketë qëndruar në fshikëzën e pacientit për 5 deri në 10 vjet. Gurët në fshikëz formohen kur mineralet që gjenden në urinë kristalizohen dhe shndërrohen në masa të forta.

Ata shfaqen më shpesh kur fshikëza nuk zbrazet plotësisht, duke bërë që urina të bëhet më e përqendruar dhe të favorizojë formimin e kristaleve.

Gurët e vegjël, me madhësinë e kokrrave të rërës, mund të eliminohen vetë. Ndërsa gurët mbi 1 centimetër mund të bllokojnë rrjedhjen e urinës dhe të kërkojnë ndërhyrje mjekësore. Një gur mbi 4 centimetra konsiderohet gur gjigant i fshikëzës.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.