Detyra shtëpie me inteligjencë artificiale, Danimarka shtrëngon masat, nxënësit do i rikthehen testimeve me gojë

Nxënësit e shkollave të mesme në Danimarkë do të duhet të mbrojnë me gojë detyrat e tyre të shkruara, si pjesë e masave emergjente të qeverisë për të luftuar përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) për mashtrim.

Ministria daneze e Arsimit njoftoi se mbrojtja me gojë do të jetë e detyrueshme për të gjitha provimet që zhvillohen me detyra të shkruara në shtëpi. Masa hyn në fuqi menjëherë dhe prek nxënësit e arsimit të mesëm të lartë, që zakonisht fillon rreth moshës 16-vjeçare.

Qeveria po u kërkon gjithashtu shkollave të përdorin mjete për monitorimin e ekraneve gjatë provimeve, si dhe sisteme firewall për të kufizuar përmbajtjen që nxënësit mund të aksesojnë gjatë provimeve dhe orëve mësimore. Shkollat inkurajohen që më shumë detyra të zhvillohen brenda ambienteve të tyre, nën mbikëqyrje.

Ministri i Arsimit, Magnus Heunicke, tha se përdorimi i AI për të kopjuar në shkollat e mesme është bërë një problem që kërkon veprim të menjëhershëm. Ai theksoi se synimi është të parandalohet që AI të dëmtojë aftësitë, njohuritë akademike dhe mbi të gjitha aftësinë e nxënësve për të menduar në mënyrë të pavarur.

Organizatat që përfaqësojnë drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe nxënësit i kanë mirëpritur masat, por kanë kërkuar zgjidhje më afatgjata. Mësuesit kanë propozuar që nxënësit të deklarojnë qartë nëse kanë përdorur AI në detyrat e rëndësishme, ndërsa nxënësit kanë paralajmëruar se puna e shtuar në shkollë duhet të organizohet në mënyrë që të përmirësojë realisht të nxënit dhe jo thjesht të zhvendosë detyrat nga shtëpia në shkollë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.