Fluksi i lëvizjeve në pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës vijon të jetë i lartë, teksa emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, si dhe shtetasit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, po zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet verore.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 48 orëve të fundit në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës kanë hyrë mbi 9.700 persona, ndërsa rreth 6.900 shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë dalë nga vendi.
Lëvizje edhe më të mëdha janë shënuar në Qafë Thanë, ku gjatë të njëjtës periudhë kanë hyrë mbi 10.200 shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa kanë dalë më shumë se 8.600 persona.
Për menaxhimin e fluksit të shtuar, në të dyja pikat kufitare autoritetet kanë vënë në dispozicion numrin maksimal të sporteleve të kontrollit dhe kanë zgjatur oraret e punës së efektivëve të Policisë Kufitare. Masat synojnë reduktimin e pritjeve dhe përshpejtimin e procedurave të kalimit kufitar gjatë sezonit veror.
