Fermerët në të gjithë Europën po paralajmërojnë për një rënie të ndjeshme të prodhimit bujqësor, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit, thatësira dhe zjarret po dëmtojnë kulturat bujqësore, duke rritur shqetësimet për shtrenjtimin e produkteve ushqimore.
Një nga produktet që pritet të preket më shumë është vaji i ullirit. Sipas prodhuesve, temperaturat rekord dhe mungesa e reshjeve kanë dëmtuar ndjeshëm ullishtet në disa vende të Europës, çka pritet të sjellë një tjetër rritje të çmimeve në muajt e ardhshëm.
Shoqata franceze e prodhuesve të perimeve, Légumes de France, bëri të ditur se mijëra tonë prodhime janë humbur si pasojë e motit ekstrem. Mes kulturave më të prekura janë sallatat, karotat, preshi, hudhra dhe qepët, ndërsa për disa prej tyre prodhimi mund të ulet deri në 50%.
Edhe sektori i verës po përballet me vështirësi. Temperaturat e larta kanë ngadalësuar zhvillimin e rrushit në rajonet e njohura të Francës, si Champagne, Bordeaux dhe Burgundy, duke rrezikuar një korrje më të vogël dhe ndër më të hershmet e regjistruara ndonjëherë.
Prodhuesit në rajonin e Champagne parashikojnë që vjelja e rrushit të nisë rreth datës 15 gusht, gati një muaj më herët krahasuar me ritmin e zakonshëm të disa dekadave më parë. Ndërkohë, rendimenti pritet të jetë rreth 10% më i ulët se një vit më parë.
Në Spanjë, Ministria e Bujqësisë parashikon që prodhimi i drithërave për sezonin 2026-2027 të bjerë nga 24 milionë tonë në rreth 18.5 milionë tonë, një vlerësim i bërë përpara se zjarret e fundit të shkaktonin dëme të tjera.
Edhe pse fermerët spanjollë janë më të përshtatur me temperaturat e larta, falë varieteteve më rezistente dhe sistemeve të avancuara të ujitjes, kushtet ekstreme klimatike kanë ndikuar ndjeshëm në prodhim.
Shoqata spanjolle e fermerëve ASAJA njofton se zjarret kanë dëmtuar pemishtet, vreshtat, serrat dhe ullishtat, ndërsa temperaturat ekstreme dhe mungesa e ujit kanë goditur edhe prodhimin e domateve dhe misrit.
Ekspertët e sektorit paralajmërojnë se, nëse kushtet atmosferike nuk përmirësohen së shpejti, çmimi i vajit të ullirit mund të rritet sërish gjatë vjeshtës, për shkak të uljes së prodhimit dhe sasisë më të vogël të frutave të përshtatshme për përpunim.
