Aksident i rëndë në Kretë, humbin jetën dy të rinj shqiptarë

Dy të rinj shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, 31 korrik, në Kretë.

Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 03:00, kur motoçikleta me të cilën udhëtonin dy shtetasit shqiptarë, të moshës 28 dhe 34 vjeç, doli nga rruga në rrethana që ende nuk janë sqaruar nga autoritetet.

Më pas motoçikleta u përplas me forcë në barrierën metalike mbrojtëse. Si pasojë e goditjes së fortë, të dy të rinjtë pësuan plagë të rënda, të cilat rezultuan fatale.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e urgjencës, të cilat i transportuan të plagosurit në Spitalin e Përgjithshëm të Hanias. Megjithatë, mjekët nuk arritën t’u shpëtonin jetën dhe konstatuan vdekjen e tyre.

Policia greke ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.