Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus shërbimin publik për një Shqipëri europiane, u ndal te lufta kundër korrupsionit dhe reformat në administratë.
Ai u shpreh se lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht çështje ndëshkimi apo masa ekstreme, por ndërtim i një sistemi që e parandalon atë. Sipas Ramës, për herë të parë në Shqipëri po ndodh që sistemi po përballet realisht me korrupsionin, edhe pse kjo shpesh, sipas tij, nuk perceptohet kështu në publik.
Ai shtoi se historikisht sistemet që janë mbështetur te ndëshkimi ekstrem kanë dështuar dhe se rruga e vetme është demokracia, balancimi i pushteteve dhe garantimi i të drejtave edhe për të akuzuarit.
Sipas tij, ndërtimi i institucioneve kërkon kohë dhe hapa të durueshëm, pa zhurmë dhe pa veprime të nxituara.
Rama: Lufta kundër korrupsionit nuk është një çështje burgu apo varje në litar. Duhet që sistemi të të mbrojë, dhe fiks ajo që po ndodh sot në Shqipëri dhe që humbet në mjegullën dhe në tymin e shumë gjërave që bëjmë bashkë është që sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin. Është e kundërta e asaj që thuhet. Është shumë e dhimbshme, është njësoj si një therje në sytë e të gjithëve që krijon pisllëk, sepse faktikisht kjo gjë po ndodh. Po hyhet aty ku është është hyrë kurrë që nga krijimi i shtetit shqiptar. Kjo nuk është një arsye për të kërkuar gijotinën. Të gjitha sistemet që në fund përfunduan në ferr për popujt që u ekzaltuan nga ideja e drejtësisë së atypëratyshme dhe që shkuan te plumbi ballit apo te gijotina na kanë mësuar që kjo e demokracisë dhe balancimit të pushteteve dhe e ndërtimit të një sistemi që garanton gjithkënd dhe garanton madje edhe të akuzuarin është e vetmja rrugë për të garantuar brezat. Ajo që është e rëndësishme në fund të ditës është tërësia e hapave që hidhen me durim dhe pa zhurmë. Besimi im për “Pse Shqipëria mund ta kapërcejë me një shpejtësi të pazakonshme atë që është koha e domosdoshme për ta ndërtuar sistemin” lidhet veteëm me faktin që Shqipëria sot ka fatin të jetojë në epokën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.
Ai u ndal edhe te procesi i digjitalizimit të shërbimeve publike, duke theksuar se ka ndihmuar në uljen e radhëve dhe në lehtësimin e marrjes së shërbimeve për qytetarët, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me numrin më të lartë të shërbimeve që ofrohen online.
Rama: Ne sot kërkojmë që të jemi një vend që pranohet në BE sepse ka një administratë të standardit të BE-së. Ama kemi digjitalizimin, i cili na bëri një gjë shumë të madhe, që sot njerëzit e kanë harruar dhe sot pjesa dërmuese e të rinjve që ndjehen të papërfillur apo që ndjehen në nevojën për të protestuar as nuk e dinë që ka ekzistuar. Digjitalizimi na hoqi radhët për të marrë një copë letër, duke na dhënë mundësine të bëheshim një nga vendet e para me numrin më të madh të shërbimeve që merreshin nga telefoni.
