Belgjikë/ Treni përplas minibusin e shkollës, 4 të vdekur

Katër të vdekur është bilanci i një aksidenti ndodhur në Belgjikë ku treni përplasi një minibus shkolle, mëngjesin e kësaj të marte, në qytetin Bugenhout.

Në minibusin shkollor ndodheshin shtatë fëmijë dhe një shoqërues. Autoritetet kanë konfirmuar se viktimat janë katër: dy nxënës 12 dhe 15 vjeç, shoferi dhe shoqëruesi.

Policia federale sqaroi paraprakisht se furgoni po lëvizte përpara një shkolle të mesme të edukimit special kur kaloi mbi shina dhe u përplas nga treni.

‘Përplasja ndodhi rreth orës 08:10 të mëngjesit teksa pamjet tregojnë se barrierat ishin të ulura dhe semafori ishte i kuq. Nuk i dimë ende rrethanat e aksidentit’ thanë në një deklaratë kompania publike që menaxhon dhe mirëmban rrjetin hekurudhor belg.

Ndër reagimet e para për ngjarjen ishte edhe ajo e presidentes së KE, Ursula von der Leyen.

“Sot, Evropa qan me Belgjikën”, shkroi ajo në X.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.