17-vjeçari qëllohet aksidentalisht me armë zjarri nga shoku në Tiranë

Miks Albania

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në Tiranë, ku i lënduar ka mbetur një 17-vjeçar.

I mituri është qëlluar me armë aksidentalisht nga shoku i tij, 19-vjeçari me iniciale R. S., tashmë i arrestuar së bashku me dy shokë të tjerë.

“Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore:

-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, thuhet në njoftimin e policisë.

17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, teksa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.